Bujanoc: "Kuq e zi" nëpër Serbi!
Flamuri me Shqiponjën dykrenare, simboli identifikues dhe historik i shqiptarëve, valon nëpër Luginë të Preshevës, tetë ditë, sa zgjasin fushatat zgjedhore dhe vetëm një ditë, gjatë festave kombëtare!
Fushata parazgjedhore e spektrit politik shqiptar, në Luginë të Preshevës, për Këshillat e pakicave kombëtare në Serbi, tashmë ka filluar edhe zyrtarisht.
Partitë e shumta politike të grumbulluara në tre koalicione, kanë vërshuar televizionet lokale dhe portalet informative me tubimet zgjedhore, spotet dhe sloganet pa fund.
Nëpër rrugë, sheshe, salla solemne, ekrane televizive, portale informative, të kapin sytë ngjyrat kuq e zi e të zënë veshët brohoritjet: “Fol shqip, shkruaj shqip, vendos shqip!”, “Për gjuhë e Flamur”, “Për bashkim”, “Për Autonomi” etj. Këta që predikojnë këto slogane, nuk flasin pastër shqip, kanë telashe me drejtshkrim, si dhe nuk vendosin kurrë shqip!
Flamuri me Shqiponjën dykrenare, simboli identifikues dhe historik i shqiptarëve, valon nëpër Luginë të Preshevës, tetë ditë, sa zgjasin fushatat zgjedhore dhe vetëm një ditë, gjatë festave kombëtare!
Spektri politik shqiptar, i cili në mandatin e kaluar të Këshillit Nacional, nuk ishte i tëri pjesë e këtij institucioni, tashti me turr është hedhur në garë, duke kaluar edhe kufijtë e etikë morale, politike dhe njerëzore.
Partitë në pushtet, e kanë më lehtë përballimin e fushatës parazgjedhore. Ato i shfrytëzojnë, të gjitha mekanizmat, kompetencat dhe fondet, për të zhvilluar një fushatë të dinjitetshme.
Nëpër këto tubime shkrepin premtime të shumta, që u bie erë demagogjie, revanshizmi e shantazhi.
Askush nga liderët shumëvjeçarë të këtyre subjekteve politike, nuk e kanë për zemër zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve sa të zyrtarëve partiakë, për zgjerimin e kompetencave nga pushteti lokal në atë Nacional. Ata nuk e kanë për dert pse shqiptarët e Luginës edhe sot pas 12 qeverisjeje lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, vuajnë nga moszgjidhja e zbatimit në praktikë të dygjuhësisë, pastaj mosrregullimi ligjor i përdorimit të simboleve kombëtare, integrimi, arsimimi i lartë etj.
Defekti i këtyre tubimeve parazgjedhore, qëndron në atë se këto parti politike, në vend se para elektoratit të shpalosin vizionet se si do të dukej Këshilli Nacional, pas 26 tetorit 2014, ato merren më shumë me të kaluarën e këtij institucioni, si dhe mosbashkëpunimin e tij me pushtetet lokale etj.
Në debatet e shpeshta televizive, me bartësit e Listave të partive politike dhe shoqërisë civile, nuk mungojnë as polemikat e rrepta në mes atyre që mbajnë pushtet lokal dhe kryetarit në ikje të Këshillit Nacional, të cilat nganjëherë përfundojnë edhe me një nervozë të tepruar.
Pa u ulur fort në atë se ku gjendet fajtori i mossuksesit të ish Këshillit Nacional dhe mosbashkëpunimi i pushteteve lokale më të, e vërteta është se ky institucion, duhet të reformohet me kuadro të reja, të përgatitura profesionalisht, pa lënë anash bashkëpunimin e institucioneve të ndryshme, pa ndihmën e të cilave zor se do ta kemi një Këshill ndryshe, çfarë e dëshirojmë dhe e duam ne të gjithë.
Se si janë duke u zhvilluar proceset zgjedhore në Luginë, avazi i vjetër i spektrit politik i kripur me demagogji, pak na jep shanse se Këshilli i ardhshëm Nacional, mund të funksionoj ashtu si duhet.
Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.
Program Parazgjedhor